Historia e rastit
Animal Rescue Albania mori përsipër këtë rast.
E vetme në mal, larg njerëzve dhe çdo mundësie për të marrë ndihmë, Aura luftonte për të mbijetuar.
E aksidentuar, e prekur nga zgjebja dhe leishmanioza, me trupin e dobësuar nga sëmundjet dhe me një frikë të jashtëzakonshme nga njerëzit.
Nuk e dimë prej sa kohësh endej atje, as sa ditë kishte kaluar pa ushqim, mes dhimbjes dhe vetmisë.
Nuk e dimë çfarë kishte përjetuar përpara se të gjendej në atë gjendje. Por frika në sytë e saj tregonte shumë.
Shpëtimi nga mali ishte vetëm fillimi i një beteje të gjatë për jetën. Prej më shumë se një muaji, Aura po përballet me analiza, trajtime të vazhdueshme mjekësore dhe izolim. Sikur të mos mjaftonin gjithë problemet e tjera shëndetësore, asaj i duhet të luftojë edhe me distemperin, një sëmundje që shumë qen nuk arrijnë ta mbijetojnë.
Por Aura po lufton për t’ia dalë. Dhe, dalëngadalë, po ia del.
Krahas trajtimit të sëmundjeve, na duhet të shërojmë edhe plagët që nuk duken. Me shumë durim, përkujdesje dhe dashuri, po përpiqemi t’i mësojmë se prania e njeriut nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht frikë dhe dhimbje.
Rruga drejt rikuperimit të plotë është ende e gjatë dhe kostot e trajtimit vazhdojnë të rëndojnë mbi organizatën tonë.
Pas gjithë asaj që ka përjetuar, dëshirojmë që historia e Aurës të mos përfundojë thjesht me mbijetesën e saj. Duam që një ditë ajo të njohë edhe jetën që deri më sot i është mohuar: sigurinë, dashurinë dhe ngrohtësinë e një familjeje.
Çdo kontribut, sado i vogël, na ndihmon të vazhdojmë kujdesin për të dhe t’i japim mundësinë për një jetë ndryshe.

